December 21st, 2010

Njëzet e një vjet më parë, ndodhi shembja e Murit të Berlinit, e cila identifikohet me fundit e komunizmin në Europë. Në nivelin e fakteve, kjo ngjarje shënon vetëm fundin e regjimit komunist në Gjermaninë Lindore. Pra, shënon vetëm fundin e njërës prej etapave të një procesi kompleks, me etapa më të hershme – sikurse çmontimi i një muri tjetër që ndante kontinentin, i së ashtuquajturës “Perde të Hekurt”, në kufirin perëndimor Hungarisë, ose zgjedhjet e lira në Poloni,  – dhe me të tjera më të vona, veçanërisht ngjarjet në qendrën e perandorisë, në Rusi, dy vjet mbas rënies së Murit të Berlinit, sikurse pothuaj paralelisht në periferinë më ekcentrike, në Shqipëri (ndërsa shpërbërja e Jugosllavisë shënon epilogun, shumë të nxehtë, të Luftës së Ftohtë). Dhe, ndonëse komunizmi ka vdekur si strukturë pushtetore, vazhdon të mbijetojë si mentalitet, vazhdon të jetë i pranishëm në fantazmën e Njeriut të Ri, krijesë e Frankenshtajnit totalitar. Periudha që pasoi, ajo e tranzicionit, ose e post-komunizmit, ishte si një zgjim i mundimshëm nga ëndrra e stërbukur e dhjetra miliona europianolindorëve në vitet 1989-1991, madje një zgjim zhgënjyes edhe për mjaft qytetarë të vendeve që tashmë kanë hyrë në Bashkimin Europian, çka ishte një nga kryedëshirat e ëndrrës së dikurshme. Ndërkaq, nuk duhet harruar, madje duhet ritheksuar se, në krahasim me realitetin e tanishëm, periudha e diktaturës ishte një realitet që i ngjan një ëndrre të tmerrshme, ishte një makth i shndërruar në jetë reale. Nuk duhet harruar se liria është si ajri që thithim: na bie në mend për të vetëm kur na mungon. Prandaj, shembja e kësaj diktature ka qenë, për një numër jashtëzakonisht të madh njerëzish, fitorja më e rëndësishme – nuk do të thosha “historike”, për shkak të konotacioneve të pashmangshme hegeliano-marksiste që i japin këtij koncepti trajtat e një përbindshi – por fitorja më e rëndësishme në jetën e tyre.

Shembja e Murit të Berlinit, ndonëse në nivelin faktik, ose empirik, shënon vetëm fundin e komunizmit në Gjermaninë Lindore, në nivelin simbolik merr përmasa më të gjera. Edhe në kohën kur ishte në këmbë, ngërthente simbolikisht jo vetëm kuptimin e ndarjes së qyteti, por të ndarjes më dysh të mbarë kontinentit. Siç thotë antrolopogu i shquar Clifford Geertz, simbolet janë pjesë inherente e botës reale. Gjithsesi, botën mund ta kuptojmë dhe t’i japim një kuptim vetëm nëpërmjet simboleve. Në këtë rast, kalimi nga ndarja e qytetit te ndarja e hapësirave kontentale, madje te bota si e tillë e ndarë më dysh, është pothuajse i vetvetishëm: qyteti i ndarë është shëmbëlltyrë kuptimplote e ndasisë mes njerëzve. Dhe, me sa duket, kjo lloj ngarkese simbolike e Murit të Berlinit bëri që, me shembjen e tij, procesi i filluar i shembjes së komunizmit në Europë të konsiderohej si i pandalshëm.

Por simbolizmi sjell me vete ritin, ceremoninë, shfaqjen dhe rishfaqjen si mimetizëm i cikleve kozmike, sikurse, nga ana tjetër, pushteti është edhe i tillë: shfaqje, ose teatër, siç e quante Francis Bacon (pra jo vetëm në epokën tonë të spektaklit). Për sa i takon Murit të Berlinit, vitin e shkuar, që ishte 20-vjetori i shembjes, u bë një ceremoni përkujtimore e kësaj ngjarjeje, njëkohësisht ceremoni që kremtonte Europën e Bashkuar, me praninë e kryetarëve të shteteve e të qeverive europiane. Në mes të këtij solemniteti festiv, kryeministri spanjoll Zapatero tha se ende mbeten mure për t’u shembur. Nuk besoj se harroi, por nuk e tha, se një nga këta mure është ai që ndan Spanjën, ose më mirë dy enklavat spanolle në truallin afrikan, nga Maroku: Zapatero e ka në dorë për ta shembur, por flet si të ishte dorëjashtë. Madje, ky mur, i ngritur nga një tjetër kryeministër socialist në vitet ’80, u modernizua aty nga fillimi i mandatit të Zapateros duke iu vënë një kreshtë thikash përsipër (jo mandatit, murit). Në vitin 2005, grupe “klandestinësh” subsaharianë u përpoqën ta kapërcejnë murin; disa gjetën vdekjen nga plumbat e rojeve të kufirit. Autoritetet spanjolle shpallën, pothuaj me gëzim, se ishin plumba kallashnikovi, pra nuk ishin vrarë nga rojet spanjolle, por nga ato marokene (të cilat, me që ra fjala, ndihmojnë për ta mbyllur kufirin për “klandestinët” në këmbim të heshtjes nga pala spanjolle ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Marok). Ndërkaq, pati dhjetra të plagosur në saje të thikave mbi mur. Mbas një ngjarjeje të tillë, thikat u hoqën. Muri mbeti. Një politikan i opozitës së djathtë, pa dashje, madje në kundërshtim me çka deshte të thoshte, qëlloi në shenjë: kjo na kujton, tha, Mesjetën, me njerëzit që sulmonin muret e kështjellave. As që i shkonte ndër mend për nënkuptimet që sillte duke e identifikuar vendin e vet si kështjellë.

Nuk është ky i vetmi mur në Europë. Ka mure edhe midis qyteteve. Si për shembull në Padova, ku lagjja e populluar më shumë nga romët është ndarë me mur nga pjesa tjetër e qytetit. Nuk është ngritur nga qeveria e Berluskonit, famëkeqe, ndër të tjera, për deportimin e romëve (kohët e fundit një aksion të tillë deportimi po e ndërmarrin, siç dihet, edhe autoritetet franceze), porse është ngritur, ky mur në Padova pra, me nismën e një kryebashkiaku të majtë. Edhe këtu duket se muret nuk janë prerogativë e së djathtës, por kanë një transversalitet në spektrin politik europian, sikurse duket edhe në rastin kur një eurodeputet i majtë holandez ngriti problemin e fesë muslimane në lidhje me çështjen e heqjes së vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Dhe, jo thjesht pse ra fjala për Ballkanin, duhet të përmendim edhe ndarjen më dysh të Mitrovicës, në Kosovë: kjo ndarje ka të bëjë gjithashtu me përgjegjësinë ose më mirë me papërgjegjësinë europiane për çka ndodhi gjatë viteve ’90 në ish-federatën jugosllave, me mosdëshirën europiane për të ndërhyrë dhe me pozicionin disavjeçar prej spektatori në luftën e Bosnjes, pa folur për luftën e Kroacisë, ndonëse trupat serbe rrafshonin qytete. Ndërhyrja qysh herët mund të kishte shmangur shumë nga tmerret që ndodhën më vonë.

Ekzistojnë edhe mure lëvizës, mbi ujë, sikurse flotiljet e anijeve luftarake në Mesdhe kundruall brigjeve të Afrikës, për të penguar “klandestinët” e mundshëm që nisen s’andejmi, si dhe në Detin Egje për të penguar ata që mund të vijnë përmes Turqisë. Madje, ka edhe një propozim të zëvendësministrit të Jashtëm grek për një anije-kamp, me personel policor e mjekësor dhe me të gjitha pajisjet e nevojshme për të mbajtur “klandestinët” e kapur nga luftanijet, deri sa t’i kthjenë nga kanë ardhur, d.m.th. për t’i mbajtur me periudha relativisht të gjata. Por tashmë kanë filluar të ngrihen edhe kampe të palëvizshëm, si për shembull në Ukrainë (pas gjase, në afërsi të kampeve të para që u ndërtuan prej gjermanëve në Luftën e Dytë Botërore). Sa mund të mbahen njerëzit në këto lloj kampesh? Sipas një ligji të miratuar nga Parlamenti Europian, mund të mbahen deri në një vit e gjysmë. Pra, një vit e gjysmë burgim (edhe për fëmijët) pa kurrfarë gjyqi, vetëm pse je i huaj dhe vjen pa vizë. Europarlamentarët që e votuan (përfshi edhe socialistët spanjollë) pretendojnë se këto lloj kampesh nuk mund të konsiderohen burgje, ngase të mbyllurit në to janë të veçuar nga personat e dënuar penalisht. Atëherë, përderisa ata mbahen të mbyllur dhe nuk dalin dot, le të themi se janë burgje speciale.

Shpenzimet për të ngritur të tilla mure përqark një Europe-Kështjellë nuk janë më të vogla se ato që do të mund të përdoreshin për integrimin e emigrantëve në vendet europiane. Por nuk është çështje thjesht ekonomike: është çështje humaniteti. Harrohet se, më shumë se kurrë, njerëzimi është një. Zgjidhja, natyrisht, nuk është ajo e asgjësimit të kufijve. Por nuk është as ajo e shndërrimit të kufijve në mure. Siç thotë Umberto Eco, kjo që po ndodh në botën e sotme është zhvendosje popullatash, jo emigrim: emigrimi mund të administrohet sipas nevojave të shteteve pritëse, ndërsa lëvizja e popullatave është e pandalshme. Dhe qeveritë europiane e dinë këtë. Po shtiren se nuk e dinë, për të treguar se mund ta kontrollojnë situatën. Dhe të vjelin vota duke e lënë mënjanë humanitetin dhe duke i bërë jehonë frikës instinktive – tribale ose shtazore – të invadimit të territorit.

Bashkim Shehu

Related posts
  • A VOYAGE TOWARDS THE “OTHER”
    We seem to believe biologists and environmental experts who say that biodiversity is a value and an indispensable element of nature's healthy development. Why can we not use this analogy for society? Why is it so difficult to reckon that diversity makes a society richer, more coherent and more flexi...
  • THE INVISIBLE WALL
    The most indestructible, everlasting and insurmountable Wall among us is invisible... The Invisible Wall or different ways to spend your summer on a small island. ...
  • THE UNDESIRABLES OF THE WORLD AND HOW UNIVERSALITY CHANGED CAMP
    Within the space of a few years, Europe has gone from an 85% acceptance rate for asylum seekers in the 90’s to an 85% rejection rate by the end of the 2000’s. ...
  • EAST EUROPEAN GEOGRAPHOBIA
    There are particularities of fear in a post-communist Europe bewildered by the demands of neoliberalism, which also tap into a legacy of aversion matured during Communism. ...
  • FORTRESS EUROPE? THERE IS A BETTER WAY
    Sarkozy and Berlusconi's request to change the Schengen treaty shows them trapped by a backward-looking vision of Europe...

1 Comment to “Muret e Europës (ALB)”

  1. good post i enjoy reading this site

Leave a comment